Problemi i origjinës së gjuhës shqipe është një nga problemet shumë të debatuara të shkencës gjuhësore. Ajo e ka burimin, pa dyshim, prej njërës nga gjuhët e lashta të Gadishullit të Ballkanit, ilirishtes ose trakishtes. Në literaturën gjuhësore qarkullojnë dy teza themelore për origjinën e shqipes: teza e origjinës ilire dhe teza e origjinës trake. Teza ilire ka gjetur mbështetje më të gjerë historike dhe gjuhësore. Ajo është formuar që në shekullin XVIII në rrethet e historianëve.